Autor: eltoncela
Unë jam Eltoni dhe kjo është hapësira ime virtuale kryesisht sportive në wordpress.com, të cilën kam zgjedhur ta ndaj me ju.
Kam studiuar për mësuesi në fakultetin e Shkencave Humane, dega Histori – Gjeografi, universiteti “Aleksandër Xhuvani’’ Elbasan. Pas kthimit në Berat kam punuar, si mësues por edhe drejtor në dy shkolla 9-vjeçare.
Ndërkohë në aspektin sportiv kam nisur të ndjek kryesisht futbollin qysh në moshë të vogël, si në stadium edhe në televizor. E shoh veten, si një tifoz të madh futbolli dhe skuadrat e mia të preferuar janë: FK Tomori dhe Kombëtarja shqiptare, po ashtu edhe AC Milan dhe Kombëtarja italiane. Prej shumë vitesh jam pjesë e tifogrupit më të madh shqiptar “Tifozat Kuq e Zi” dhe pjesë e tentativave për të pasur një tifogrup të vërtetë në Berat.
Për tu lidhur edhe më shumë me sportin, pata fatin të punoja, si gazetar sportiv duke e nisur nga gazeta më të madhe sportive në vend “Panorama Sport’’ dhe për një kohë të shkurtër edhe në “Sport Plus’’. Po ashtu kam punuar edhe në disa portale online në periudha të shkurtra, si: ‘’asport.info’’, ‘’dionsport.com’’, minuta90.com’’ dhe “sportal.al’’. por njëkohësisht edhe në portale online lokale, si: “beratineës.com’’ dhe televizionin ‘’Berati TV’’. Më 18 nëntor 2022 fitova quizin sportiv, “La Casa de Quiz’’ mbi njohuritë e historisë së Kupave të Botës 1930-2018. Ky quiz u organizua nga “SuperSport’’ dhe “Digitalb’’.
Në këtë dritare informacioni do të lexoni shumë prej artikujve të shkruara në gazetat, portalet dhe televizione ku kam punuar por jo vetëm. Kështu artikuj nga sporti e kryesisht futbolli do të jenë mbizotërues në këtë blog. Lajme mbi Tomorin dhe kombëtaren dhe lajme të tjera nga futbolli shqiptar. Komente, intervista, histori dhe situata pikante, ashtu si unë mund t’ia dalë. Por herë herë edhe ndonjë lajm jashtë sportit nuk do të jetë asnjëherë herezi. Të dhëna historike apo në lidhje me profesionin tim dhe pse jo guida për zona që mund të vizitoni do bëjnë më të larmishëm këtë web.
Lexim të këndshëm!